Më 2 Shtator 2019, përfaqësuesit e Organizatës për Inovacione Sociale “ARNO”, zhvilluan një aktivitet përcjellës pas shkëmbimit ” Never Again! ” që u mbajt më korrik 2019, në Karlovo, Bullgari, ku një grup prej 5 të rinjsh,  organizuan një aktivitet në qendrën e qytetit,  për ndërgjegjësimin mbi historinë dhe mësimet e Holokaustit.

Frymëzuar nga metodat e trajnimit dhe lidhjen me anën emocionale nga kjo padrejtësi historike (ndjenjat e hebrenjve dhe të tjerëve që përjetuan Holokaustin), ekipi i ARNO-s vendosi të ndajë disa nga ato përjetime dhe ndjenja me qytetarët dhe të rinjtë nga Shkupi, përmes bashkëveprimit dhe  qasjes kreative .  Për këtë aktivitet,  grupi përdori modelin e dhënë të kartolinave nga “Konkursi Ndërkombëtar i Përkujtimit të Holokaustit 2019”. Dizajni i dhënë përmban 3 valixhe dhe një titull; “Valixhe përblot me kujtime – që kurrë të mos harrohet Holokausti “. Aktiviteti u përqëndrua në pyetjen që ju parashtrua njerëzve: “Nëse keni 30 minuta të dilni nga shtëpia juaj dhe të shkoni në një vend të panjohur dhe mund të merrnit vetëm 5 gjëra me vete, çfarë do të fusnit në valixhe? ”

Sipas liderit të grupit Anjeza Sadiku Gorenca, pyetjet ngjallën shumë interes midis kalimtarve të rastit dhe hapën diskutime për tërë tragjedinë që ndodhi në të kaluarën jo aq të largët. “2 Shtatori, ishte një ditë me shumë diell dhe pozitivitet, dita kur nxënësit fillojnë të shkojnë në shkollë. Shkuam në publik dhe bëmë disa pyetje që i tronditën njerëzit.  Ata nuk u menduan shumë, në përgjigjen e tyre të parë thanë se do të marrin gjërat thelbësore si telefonin, pasaportën, furçën e dhëmbëve, sigurimet shëndetësore, paratë etj. Pasi përgjigjeshin në pyetjen që iu bëmë,  ne sqaruam që kjo ishte një pyetje hyrëse, një kujtesë e këtij mësimi të errët, kujtesë nga ajo që ndodhi në vendin tonë, atëherë kur njerëzit paketoheshin që të shkonin në një drejtim,  nga i cili nuk do të ktheheshin më. Pas këtij sqarimi, reagimi i tyre ndryshoi. Disa njerëz treguan historitë e tyre , kur kishin parë miqtë dhe fqinjët tek largoheshin . Më  të rinjtë thanë se rreth kësaj historie kishin mësuar në shkollë. Sidoqoftë, secili prej tyre tha se do ta mbante mend temën e kësaj pyetjeje, gjatë gjithë jetës. ”

I gjithë aktiviteti zgjati rreth 2 orë , e në të u përfshinë rreth 30 persona që ju përgjigjën pyetjeve dhe diskutuan me grupin për mësimet nga Holokausti. Kartolinat e shtypura u mbushën me mesazhe të kalimtarëve, me pendimin se përse në atë kohë  heshtën përballë padrejtësive ato  me kujtime rreth asaj që ka ndodhur dhe nuk guxon të përsëritet  kurrë më !